Tuna vjen me projekte të reja


Këngëtarja shkupjane, Tuna Sejdiu, nuk di të ndalet, e kritikuar për klipet e fundit, por e pëlqyer tej mase për performancën e saj, ajo këto ditë është kthyer në Shkup për të mbledhur energjinë dhe për të shpërthyer me projektet e radhës.

 

“Në përgjithësi marr ftesë nga festivalet tona dhe i falënderoj për vlerësimin që më bëjnë… Arsyeja pse vitet e fundit po ngurroj sa u përket këtyre kompeticioneve, është që nuk më sfidojnë si në fillimet e mia, edhe pse nuk mund ta mohoj faktin që janë ideale për të promovuar një projekt të ri”.

 

Kështu thekson Tuna për eventet që realizohen tek ne, gjatë një interviste dhënë për revistën “Korniza”. Shumë këngëtarë e trajtojnë temën e dashurisë në këngët e tyre dhe kësaj liste i bashkëngjitet edhe Tuna pa dyshim. “Pa marrë parasysh trendin aktual të zhanreve të muzikes që nuk “durojnë” tekste të komplikuara, unë mendoj që çdo tekst duhet të përmbajë mesazhin e saj, qoftë direkt apo indirekt”, tregon ajo, duke shtuar se një ditë mund dhe ta shohim në festivalet ndërkombëtare, madje edhe në MTV. E pyetur nëse ka ambicie se një ditë do ta shohim atë në skenën ndërkombëtare, këngëtarja përgjigjet shkurt: “Pse jooo?”.

 

E rëndësishme për Tunën, përveç karrierës, ka qenë shkolla, dhe studimet i ka kryer në Selanik të Greqisë. “Katër vitet e fundit e kam pasur shumë vështirë të menaxhoj karrierën dhe studimet paralelisht, në veçanti dy vitet e fundit në Selanik.

 

Tani që jam diplomuar, nuk mendoj që përfundoi me kaq, vetëm që kam vendosur ta shijoj dhe t’i fokusohem karrieres këto vite, derisa të vendos për magjistraturën”, shton këngëtarja, e cila tregon gjithashtu me shumë bindje se publiku shqiptar kërkon më shumë origjinalitet dhe diversitet.

 

“Origjinaliteti pa dyshim është. Nuk ka logjikë të ekzistojë një artist, më saktë një këngëtar nëse nuk e ka “vulën e vet”. Pra, kur në radio do të këndohet një këngë, të njihet në 3 sekondat e para se kush e këndon. Këtë gjë tek estrada jonë shumë pak artistë e kanë”, përfundon Tuna.




Ngjashëm me këtë:


Komente:


Komento


You must be logged in to post a comment.