Mihrije Braha: Aborti para 5 viteve bëri që të heq dorë nga shtatzënia e dytë


”Të them të drejtën, ideja më ka lindur papritmas në mbrëmje. Mendova ta realizojmë një përvjetor më ndryshe sesa herët e tjera dhe më të veçantë. Pikërisht veshja ime si nuse dhe Naimi si dhëndër m’u duk shumë interesante dhe unike, dhe në mëngjes ia kumtova idenë time Naimit, ai e priti shumë mirë këtë propozim dhe menjëherë fillova procedurat e përgatitjes”, është shprehur për gazetën ”Zëri” këngëtarja e njohur, Mihrije Braha, rreth idesë së realizimit të setit të fundit me fotografi.

 

Për 20-vjetorin e martesës ata i uroi edhe djali Platori, i cili në pamundësi për të pasur një vëlla ose motër, prindërit i konsideron si miqtë më të mirë të jetës së tij. ”Në momentin kur vendosëm të festojmë në këtë mënyrë, unë porosita menjëherë fustanin e bardhë te stilsistja ime, pastaj ftuam edhe Avni Selmanin për t’i bërë fotot dhe çdo gjë shkoi mirë.

 

Në momentin që vesha fustanin, kam pasur shumë emocione. Gjatë 24 orëve kam qenë nën ethe të përkujtimit të ditës së martesës para 20 vjetëve.

 

Thjesht ka qenë një ndjenjë shumë e mirë, që nuk do ta harroj kurrë në jetë. Edhe pse kam këtë moshë, mua vetja më duket gjithnjë e re dhe punoj me një energji të një të reje. Fustani është qepur sipas shijes sime dhe jam dukur ashtu siç kam pasur dëshirë”, është shprehur këngëtarja, e cila thotë se porsa i kanë publikuar fotot nëpër rrjetet sociale, ato janë pëlqyer shumë.

 

”Porsa i kemi publikuar fotot, komentet kanë qenë nga më të ndryshmet dhe të gjitha me fjalë të mira. Brenda një periudhe të shkurtër në rrjetin social facebook janë bërë me qindra pëlqime mbi fotot dhe kjo tregon edhe faktin se të gjithë e kanë pëlqyer dukjen tonë.

 

Më së shumti kësaj feste i është gëzuar djali, në atë ditë kemi festuar në shtëpi së bashku me Platorin dhe me miqtë e dashamirët tanë”, thotë Mihrija, e cila e pyetur rreth ndonjë shtatzënie të re për të sjellë në jetë ndonjë fëmijë tjetër, për herë të parë shprehet se ka pasur një abort para 4-5 viteve, që e ka detyruar të heqë dorë nga ky hap.

 

”Po, jam munduar, por nuk kam pasur sukses. Aborti im spontan ka qenë para 4 apo 5 vjetëve dhe prej atëherë kam dhënë dorëheqje. Nuk mendoj më në këtë drejtim, uroj që Platori të rritet me të gjitha të mirat në jetë. Aktualisht po mendoj vetëm për karrierën time, do të mundohem që adhuruesve t’u sjell këngë dhe klipe të mirëfillta.

 

Tani jam duke realizuar një këngë me një temë që nuk është prekur deri më tani, një këngë e mirëfilltë zbavitëse dhe artistike. Besoj se do të jetë një hit i vitit ,sepse jemi duke punuar shumë”, ka përfunduar bisedën e saj për mediat në Kosovë, këngëtarja e njohur Braha.




Ngjashëm me këtë: