Lorik Cana: Nuk kam histori dashurie në Angli, Xhema mikja ime dhe e familjes |
Lorik Cana shpreh indinjatën e tij për një “histori rozë”, e dalë në faqet e shtypit shqiptar pak ditë më parë…
Lorik, së fundmi në mediat shqiptare është raportuar lidhja juaj me një angleze? Cila është e vërteta e kësaj historie?
Unë, së pakti, e jo vetëm unë por të gjithë, janë pak të çuditur, pasi ky lajm nëse mund ta quajmë lajm, ka mëse një vit që është përfolur. Dhe vetë titulli “zbulohet”… diçka bëhet nuk zbulohet një gjë e vjetër… Madje për gjërat që flitet aty nuk qëndrojnë. Unë nuk e kam problem të flas rreth jetës sime, nëse kam ndonjë gjë për të treguar ose për të thënë për jetën time private, nëse dua ta bëj publike do ta bëj vetë. Dhe që njerëzit duan të dinë për mua, dhe për shumë njerëz që janë personazhe, kjo është krejt normale, është pjesë e jetës sonë dhe nuk e kam problem këtë gjë. Por deri kur nuk denigrohet një person aty, e sidomos kur është një person i afërt… Personi në fakt që përflitet është një person i afërt, një mik i familjes sime, kemi biznese bashkë, kemi shumë gjëra bashkë dhe nuk më pëlqen aspak kur denigrohet. Nuk më pëlqen në përgjithësi kur flitet për gjëra të pavërteta. Unë nuk është se e ndjek vazhdimisht shtypin, por kam njerëz që më tregojnë dhe më vjen keq, pasi nuk është se s’respektohem unë këtë rast, por nuk respektohen njerëz të afërt të mi, dhe këtë nuk e lejoj. Njerëzit mund të shkruajnë çfarë të duan, nuk është se s’jam dakord, por pa denigrim dhe gjëra të pavërteta. Mandej, sigurisht që gjërat që janë shkruajtur nuk janë absolutisht të vërteta.
Po ke një histori aktualisht?
Unë nuk jam me askënd për momentin. Kam kohë që nuk jam me askënd, ka ndoshta 10 muaj dhe do vazhdoj jetën time shumë qetë dhe mirë.
Kanë ndikuar lëvizjet e fundit profesionale në mungesën e një raporti konkret?
Sigurisht, madje shumë. Nëse je me dikë dhe lëviz, ai person mund të vijë me ty, por nëse nuk je me dikë dhe je në vazhdimësi në lëvizje është e vështirë për të krijuar një relacion. Megjithatë, nuk nxitohem. Gjërat ndonjëherë bëhen natyrale. Nëse do takoj dikë po në mënyrë natyrale do të më pëlqente. Kam dëshirë që të njoh dhe kem një marrëdhënie, pasi vitet po kalojnë, pavarësisht se nuk jam ende i moshuar (qesh), por dihet që vitet shkojnë dhe do mundohem të jem me dikë. Por pa nxitim, pasi ai është një vendim afatgjatë dhe nuk dua ta marr me ngut.
Pra, do tentoni të keni një marrëdhënie me perspektivë të gjatë…?
Po, ashtu duhet ta mendoj, ta filloj me atë mendim, më tej si do shkojë askush nuk e di. Sigurisht që e mendoj me perspektivën e jetëgjatësisë.
Gjatë këtyre ditëve në Shqipëri keni takuar edhe aktoren hollivudiane Eliza Dushku, duke u bërë edhe ju pjesë e dokumentarit që ajo po realizon në Shqipëri. Ç’mund të na thoni rreth këtij takimi?
U bë në minutën e fundit, në fakt. Unë jam shumë mik me Fadil Berishën dhe me aktorin Blerim Destani dhe ata më kontaktuan dhe më propozuan nëse mund të isha pjesë e këtij dokumentari, si njeri i sportit në vendin tonë dhe në skenën ndërkombëtare. Sigurisht që e pranova me gjithë qejf. Është diçka shumë e rëndësishme, pasi janë raste të tilla kur vendi ynë mund të pasqyrohet me vlera të jashtëzakonshme dhe në kanale kombëtare në Amerikë, i ndjekur nga miliona-miliona njerëz. Dhe kur ke njerëz të vendit tonë që kanë arritur në rrugën e tyre, sigurisht që Eliza është e njohur jo vetëm në Amerikë por edhe në Europë, është një mënyrë e mirë për t’i treguar. Unë Elizën e takoja për herë të parë dhe i dhurova një fanellë të ekipit kombëtar, që nuk simbolizon vetëm futbollin, fanella e ekipit kombëtar simbolizon ushqimin e shpirtit tonë dhe kjo është një gjë e veçantë. Asaj i pëlqeu shumë. Biseduam së bashku dhe ishte shumë kënaqësi që dy persona, ose disa persona, siç është Fadili, Blerimi, Inva Mula e mjaft të tjerë, secili në degën e vet që ka arritur në karrierën e tyre personale dhe që përfaqësojnë një vend të tërë, është një gjë e jashtëzakonshme.
Lorik, së fundi, ke pushuar këtë verë të nxehtë?
Këtë verë u kryen pushimet. Ne i kemi në qershor dhe kaq. Kam pasur një pushim të shkurtër, kam ardhur për të takuar familjen në Kosovë, pjesën e familjes që është në Francë dhe kaq. Pjesa tjetër punë, punë dhe vetëm punë!!!
Copyright © 2012 · KosovaChat.Com
Komente: