Genta Ismajli udhëton drejt Londrës, tenton të bashkëpunojë me Jessie J


Nuk ka pushuar këtë verë, pasi ka qenë gjithmonë e angazhuar me koncerte, si dhe projekte muzikore të cilat tashmë janë lançuar në treg.

 

Realizoi disa videoklipe, albumin “Guximi” me të cilin pati edhe probleme në lidhje më editimin e tij nga ana e  “Arboni”, produksion me të cilin ka filluar procedurë gjyqësore. Megjithatë, Genta Ismajli nuk ka të ndalur.Në faqen e saj zyrtare në Facebook këngëtarja kishte shkruar se udhëton drejt Londrës por, duke mos dhënë arsye shtesë në lidhje me këtë udhëtim.

 

Këngëtaret tona shpesh udhëtojnë atje për ndonjë koncert, por Genta nuk kishte vënë asnjë reklamë, siç bën zakonisht kur ka mbrëmje muzikore në ndonjë vend. Heshtja mbizotëron në të gjitha anët, në momentin që këngëtarja e njohur kosovare dëshiron të shpartallojë edhe tregun e huaj. Tentoi disa herë në Turqi, por si duket tregu atje nuk i pëlqeu shumë, pasi këngës “Sexy” në duet me turkun Cunyet Cakim nuk ia realizuan videoklipin, ashtu siç ishte thënë më herët. Kënga u pëlqye tej mase tek ne dhe në shumë radio gjermane filloi të bëhet një hit i vërtetë.

 

Për të vazhduar më tej me tentativa të reja për depërtim më të lehtë në Europë, Genta Ismajli debutoi në festivalin zviceran të Eurosong-ut, ku u skualifikua për shkak të numrit të vogël të votave të marra nga juria dhe publiku. Në albumin e fundit ajo ka edhe disa kompozime të Cara Dioguardit, por si duket nuk po e ndihmojnë shumë që të bëhet e njohur edhe në Amerikë. Por të dalim tek qëllimi i shkrimit. Teksa disa e kopjojnë, disa të tjerë tentojnë të bashkëpunojnë. “Panorama plus” mëson se qëllimi i vizitës së Genta Ismajlit në Londër ka qenë takimi me producentët e këngëtares angleze Jessie J, për të cilën javën e kaluar treguam se ka filluar ta kopjojë këngëtarja Dafina Zeqiri. Genta, së bashku me bashkëpunëtorët e saj, ka pasur një takim me producentët e Jessie.

 

Se çfarë është folur në këtë takim nuk dihet, por pasi është kthyer nga Londra, Genta përsëri në faqen e saj personale ka shkruar se është shumë e lumtur, gjë që lë të mendosh se mes saj dhe këngëtares Jessie J në një të ardhme të afërt mund të ndodhë edhe ndonjë bashkëpunim i suksesshëm, që do të jetë një shtysë kryesore që Genta Ismajli të bëjë boom në Europë e mbarë botën.




Ngjashëm me këtë:


Komente:


Komento


You must be logged in to post a comment.